Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se Komuna ka dalë fituese në përballjen ligjore me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) lidhur me organizimin e tregjeve festive “Akull n’verë dhe Verë n’dimër”.
Prokuroria Speciale ka hedhur poshtë kallëzimin penal të ngritur nga ministri Elbert Krasniqi kundër Ramës dhe kryeshefit të NPL “SportMarketing”, duke e cilësuar si të pabazë.
Rama akuzoi Qeverinë për përpjekje të përsëritura dhe të motivuara politikisht për të diskredituar aktivitetet e Kryeqytetit. Ai theksoi se këto sabotime po dështojnë përballë fakteve dhe drejtësisë, dhe i cilësoi veprimet e pushtetit qendror si përpjekje për të ndalur zhvillimin e Prishtinës.
“Është përballje mes një qasjeje që ndërton dhe një tjetre që saboton”, shkroi ai, duke shtuar se “Kryeqyteti nuk ndalet”.
