Tragjedia në Graz: Psikologia Çapraz shpjegon rolin e bullizmit dhe izolimit social në aktet ekstreme të dhunës

Para 10 muaj

Pas ngjarjes tronditëse në Graz të Austrisë, ku një i ri vrau 10 persona dhe më pas i dha fund jetës së tij, kriminologia dhe psikologia Ditab Çapraz ka reaguar përmes një analize të thellë në emisionin “Ora 7”, duke ndriçuar shkaqet e mundshme që mund të çojnë individët drejt akteve të tilla ekstreme.

Sipas Çapraz, një nga faktorët kryesorë që kontribuon në sjellje të dhunshme është bullizmi – një fenomen që po përhapet me shpejtësi, sidomos mes të rinjve.

“Bullizmi është një problem që na ka kapluar, qoftë ai fizik apo online që përcillet përmes rrjeteve sociale. Parandalimi i pakët dhe ndërhyrjet që nuk po ndodhin në zhvillimin emocional të fëmijëve po ndikon që ata të jenë të rrezikuar nga kjo,” u shpreh Çapraz për Klankosova.tv.

Duke iu referuar ngjarjes në Graz, psikologia theksoi se autori i sulmit mund të ketë qenë i izoluar për një kohë të gjatë, ndoshta si pasojë e përvojave të bullizmit.

“Ky individ që e ka shkaktuar këtë tragjedi, ka qenë i izoluar tërësisht, ndoshta për shkak të bullizmit, dhe në fund kemi përfunduar në një akt të tillë,” shtoi ajo.

Çapraz nënvizon nevojën urgjente për ndërhyrje të hershme dhe edukim emocional që nga mosha e hershme, në mënyrë që të parandalohet zhvillimi i ndjenjave të forta të urrejtjes, izolimit dhe vetë-shkatërrimit te të rinjtë.