Qyteti i Prizrenit është tronditur thellë sot nga një ngjarje e rëndë që ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit, ku një burrë ka sulmuar me thikë familjen e tij, duke lënë pas një viktimë dhe dy të plagosura rëndë.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Shote Galica” rreth orës 05:57, kur sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari M.G., 43 vjeç, ka therur me thikë dy vajzat e tij të mitura dhe bashkëshorten. Si pasojë, vajza 15-vjeçare ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa vajza tjetër, 10-vjeçare, është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Naser Syla, shef i Emergjencës në QKUK, ka deklaruar për Telegrafin se:
“Gjendja e saj është stabile, janë kryer të gjitha ekzaminimet. Tashmë janë duke e dërguar në klinikën e ORL-së.”
Edhe bashkëshortja 35-vjeçare e autorit ka pësuar lëndime dhe është nën kujdes mjekësor. Policia ka ndërhyrë me katër patrulla në vendin e ngjarjes pas raportimeve se i dyshuari ndodhej ende me thikë në dorë, duke penguar ndihmën e parë mjekësore.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shaqir Bytyçi, ka konfirmuar se të gjitha viktimat janë anëtarë të së njëjtës familje dhe shtetas të Turqisë me qëndrim të përkohshëm në Prizren.
“Policia ka ndërhyrë menjëherë dhe është duke u marrë me rastin. Hetimet janë në zhvillim,” u shpreh ai.
Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik dhe ka hapur edhe një herë debat mbi dhunën në familje dhe mbrojtjen e viktimave të mundshme. Autoritetet pritet të dalin me më shumë detaje gjatë ditës.
