🇺🇸 Nju Jork – Një burrë 61-vjeçar humbi jetën në mënyrë tragjike në një klinikë MRI në qarkun Nassau, pasi u tërhoq me forcë nga një aparat rezonance magnetike për shkak të një zinxhiri të rëndë rreth qafës.
Sipas autoriteteve, Keith McAllister kishte hyrë në dhomën ku po bëhej skanimi i gjurit të gruas së tij, pa e ditur rrezikun që paraqiste zinxhiri metalik që mbante. Aparati MRI – i njohur për fuqinë e jashtëzakonshme magnetike – e tërhoqi menjëherë zinxhirin, duke e rrëzuar burrin dhe duke i shkaktuar lëndime fatale.
Gruaja e tij, Adrienne Jones McAllister, në një intervistë emocionale tha se kishte kërkuar ndihmë nga bashkëshorti për t’u ngritur nga tavolina e rezonancës.
“Bërtita emrin e Keith, i thashë ‘eja më ndihmo të ngrihem’… dhe pastaj ndodhi ajo që nuk do ta harroj kurrë,” tha ajo me lot në sy.
Ajo tha se burri i saj hyri në sallë duke mbajtur zinxhirin, të cilin ai e përdorte për stërvitje me pesha.
“E pashë aparatin ta rrëmbente dhe ta tërhiqte. Ai vdiq, humbi”, u shpreh ajo me lot në sy.
MRI do të thotë Imazhe me Rezonancë Magnetike. Makineritë përdorin fusha të forta magnetike dhe valë radio për të krijuar imazhe të detajuara të brendësisë së trupit.
Për shkak të fushave magnetike, “forca shumë të fuqishme” ushtrohen mbi objekte të bëra prej hekuri, disa çelikësh dhe materiale të tjera magnetike, thotë Instituti Kombëtar i Imazheve Biomjekësore dhe Bioinxhinierisë.
Ngjarja ka tronditur komunitetin dhe ka hapur diskutime mbi masat e sigurisë në klinikat që ofrojnë shërbime MRI. Sipas rregulloreve mjekësore, çdo objekt metalik – sado i vogël – ndalohet të merret në ambientin e rezonancës, për shkak të rrezikut të lartë që paraqet forca magnetike.
Policia e Qarkut Nassau ka nisur hetime për të kuptuar nëse stafi mjekësor kishte marrë masat e duhura për të paralajmëruar dhe mbrojtur pacientët dhe vizitorët.
