Tragjedi në Gjilan: Vetëm 3 muaj pas martesës, Edmond Hasani vritet bashkë me babain

Para 8 muaj

Vetëm pak muaj pasi kishte kurorëzuar dashurinë e tij me martesë, Edmond Hasani ka humbur jetën në një tragjedi që ka tronditur tërë qytetin e Gjilanit dhe më gjerë. Ai u vra së bashku me babain e tij, Selami Hasani, në rrethana të rënda që lidhen me një përplasje me persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të jashtëligjshme të fajdesë.

Edmondi, i cili ishte martuar rishtazi me Njomza Grabanicën, ish-drejtoreshë e Kadastrës në Komunën e Klinës, njihej si një i ri i përkushtuar dhe i respektuar në komunitet. Lumturia e jetës së tij të re u ndërpre papritur nga kjo ngjarje tragjike që i mori jetën atij dhe babait të tij.

Sot, qyteti i Gjilanit do t’i japë lamtumirën e fundit babë e bir, në një ceremoni të dhimbshme varrimi që do të zhvillohet në varrezat e qytetit pas namazit të ikindisë, në orën 16:40.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në zhvillim. Një person është arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërsa tre të dyshuar të tjerë janë shpallur në kërkim. Ata janë identifikuar si Mefail Shkodra, 53 vjeç, dhe dy djemtë e tij Edonis (25) dhe Engjull Shkodra (22).