Një ngjarje tragjike ka tronditur fshatin Dardani të Ferizajt të dielën, kur një fëmijë 3 vjeç e gjysmë ka humbur jetën pasi është goditur aksidentalisht nga një veturë në oborrin e shtëpisë së dajës së tij.
Sipas raportimit të gazetares Amantina Hasani nga Klan Kosova, vetura drejtohej nga një 21-vjeçar, djali i dajës së fëmijës, i cili nuk e kishte vërejtur të voglin në momentin kur po lëvizte mbrapa me automjetin.
Rasti është konfirmuar nga zyrtari i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli. Ai bëri të ditur se fëmija ishte dërguar menjëherë në ambulancën e fshatit Pozheran, por mjekët kishin konstatuar vdekjen në momentin e pranimit.
Gjendja emocionale e familjes është jashtëzakonisht e rënduar. Varrimi i të miturit do të bëhet sot në fshatin Mirosalë, në orën 18:00.
Policia ka nisur hetimet për këtë rast të rëndë, ndërsa ngasësi i veturës është ndaluar për procedura të mëtejshme.
