Budapest – Partia në pushtet Fidesz, e udhëhequr nga kryeministri hungarez Viktor Orban, po përballet me sfidën më të madhe politike që nga ardhja në pushtet në vitin 2010. Sipas një sondazhi të fundit nga portali i njohur Europe Elects, mbështetja për Fidesz ka rënë në 36%, një rënie drastike prej 19% në krahasim me vitet e kaluara.
Në të njëjtën kohë, partia opozitare Tisza, e udhëhequr nga Peter Magyar, ka shënuar rritje të ndjeshme në popullaritet, duke arritur në 43% në sondazhet e fundit – një nivel rekord për partinë që u themelua vetëm para katër vjetësh e gjysmë.
Analistët politikë thonë se ky zhvillim shënon një moment kritik për politikën hungareze, pasi një opozitë kaq e fortë nuk është parë prej më shumë se një dekade. Peter Magyar, një ish-anëtar i Fidesz, po përfiton nga pakënaqësitë në rritje me stilin e qeverisjes së Orbanit, i cilësuar prej tij si një “demokraci joliberale”.
Ndërkohë, edhe Koalicioni Demokratik (DK) ruan një mbështetje të qëndrueshme prej 9%, duke shtuar më tej kompleksitetin e garës për pushtet.
Zgjedhjet parlamentare në Hungari pritet të mbahen në prill të vitit 2026 dhe nëse trendet aktuale vazhdojnë, ato mund të përfaqësojnë një pikë kthese të madhe në politikën hungareze, me mundësinë reale që Orban të humbasë pushtetin pas më shumë se 15 vitesh dominim.
