Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në episodin më të fundit të podcastit të tij, kishte të ftuar kandidaten e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliun. Përveç diskutimit mbi sfidat dhe pritshmëritë për kryeqytetin, Rama foli edhe për situatën e ish-kryebashkiakut Erion Veliaj.
Ai e cilësoi largimin e Veliajt nga detyra si të domosdoshëm për shkak të procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij, por theksoi se mënyra se si u trajtua nga drejtësia ishte “brutale”.
“Veliaj u mor nga zyra pa gjyq dhe u çua në paraburgim, ku po mbahet ende prej muajsh, mes një procesi me standarde që, për ta thënë butë, janë të dyshimta”, tha Rama.
Duke komentuar mbi zgjedhjet e parakohshme në Tiranë, që do të mbahen më 9 nëntor, kreu i qeverisë u shpreh se Tirana nuk mund të qëndrojë pa një drejtim të qartë, ndaj situata kërkon zgjidhje të menjëhershme.
Rama gjithashtu përmendi edhe ish-ministrin Ilir Rusmali dhe kontekstin më të gjerë të zhvillimeve në drejtësi, duke e lidhur me tragjedinë e Gërdecit dhe përgjegjësinë politike që, sipas tij, disa përpiqen ende ta shmangin.
