Tërmet i fuqishëm në lindje të Kretës, ndjehet në Greqi dhe Turqi – Lëshohet paralajmërim për cunami

Para 11 muaj

Një tërmet me magnitudë 6.1 të shkallës Rihter është regjistruar sot në zonën detare rreth 20 kilometra në jug-jugperëndim të ishullit Kasos, në lindje të Kretës, njoftoi Instituti Gjeodinamik i Observatorit Kombëtar të Athinës.

Epiqendra e tërmetit ishte në një thellësi prej 64.4 kilometrash, çka sipas ekspertëve ka ndikuar në uljen e intensitetit të goditjes në sipërfaqe. Tërmeti u ndje në disa rajone të Greqisë jugore, përfshirë ishujt Kretë, Rodos dhe Kos, si dhe në disa zona në bregdetin perëndimor të Turqisë.

Si masë paraprake, është lëshuar një paralajmërim për cunami, ndonëse deri më tani nuk raportohet për dëme të konsiderueshme materiale apo persona të lënduar.

Presidenti i Organizatës për Planifikimin dhe Mbrojtjen nga Tërmetet në Greqi (OASP), profesori i njohur i gjeologjisë Efimios Lekas, deklaroi se tërmeti për shkak të thellësisë së madhe, ka pasur ndikim të kufizuar në sipërfaqe dhe nuk pritet të pasohet nga lëkundje të forta pasuese.

Ai theksoi se tërmeti është rezultat i përplasjes së pllakave tektonike në të ashtuquajturin “Hark Grek”, një zonë me aktivitet sizmik të shtuar. Sipas tij, nuk ka lidhje mes këtij tërmeti dhe lëkundjeve të fundit të regjistruara në zonën e Santorinit apo në Turqi, për shkak të karakteristikave të ndryshme gjeotektonike.

Banorët e zonave të prekura kanë raportuar lëkundje të lehta, por nuk është regjistruar ndonjë ndikim serioz.