Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të enjten në fshatin Debëlldeh të Gjilanit, ku një person ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë zjarri. Ngjarja po trajtohet nga Policia e Kosovës si tentim-vrasje, ndërsa i dyshuari është ende në arrati.
Sipas raportit zyrtar të Policisë, “viktima, mashkull kosovar, ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, pasi i dyshuari, po ashtu mashkull kosovar, dyshohet se ka shtënë me armë gjuetie në drejtim të tij, për motive ende të panjohura”.
Pas incidentit, viktima është dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Emergjente të Gjilanit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur dhe po kërkohet nga autoritetet.
Policia, në koordinim me prokurorin e rastit, ka realizuar bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit, ku janë gjetur dhe konfiskuar:
- 1 pushkë gjysmë automatike
- 1 pushkë pneumatike
- 1 pistoletë me gaz
- 149 fishekë
- 3 gëzhoja
- 2 pajisje DVR të kamerave të sigurisë
Hetimet për rastin janë në vazhdim.
