Një rast i tentim kontrabande është parandaluar këtë të martë në orët e paradites në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Një udhëtar i ardhur nga Gjermania është kapur me mallra të padeklaruara me vlerë të lartë, konkretisht dy orë dore.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, udhëtari kishte kaluar përmes kanalit të gjelbër, i cili është i dedikuar për pasagjerët që nuk kanë mallra për të deklaruar. Megjithatë, pas analizës së bagazheve përmes skanerit dhe dyshimeve të ngritura, është vendosur për kontroll të detajuar.
“Gjatë kontrollit, janë zbuluar dy orë dore me vlerë mbi 12,628.80 euro, ndërsa vlera e taksave të papaguara llogaritet të jetë 3,763.38 euro,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Në përputhje me nenin 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës, ndaj udhëtarit është iniciuar procedurë kundërvajtëse për mosdeklarim të mallit, ndërsa mallrat janë ndaluar përkohësisht, deri në përfundimin e procedurave ligjore.
Dogana e Kosovës rikujton qytetarët dhe udhëtarët se deklarimi i saktë i mallrave është obligim ligjor, dhe mosrespektimi i tij sjell pasoja financiare dhe ligjore
