Lipjan, 8 qershor 2025 – Tri vajza të mitura kanë tentuar të arratisen nga një strehimore për rehabilitim në Lipjan gjatë mbrëmjes së djeshme. Ngjarja është regjistruar rreth orës 22:20 dhe është cilësuar nga policia si “arratisje e personit të privuar nga liria, e mbetur në tentativë”.
Sipas raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, të miturat janë intervistuar në prani të përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale dhe avokatit mbrojtës. Prokurori i rastit është njoftuar dhe konsultuar menjëherë pas ngjarjes.
Ende nuk dihen arsyet që çuan të miturat drejt këtij veprimi, por burime brenda sistemit të kujdesit social bëjnë të ditur se strehimorja ku ato ishin vendosur është institucion i dedikuar për rehabilitimin dhe përkujdesjen e fëmijëve në nevojë.
Policia është duke vazhduar hetimet, ndërsa pritet që prokuroria të vendosë për hapat e mëtejmë ligjorë ndaj të miturave.
Ngjarja ka ngjallur shqetësime në opinion lidhur me kushtet dhe sigurinë në institucionet përkujdesëse për fëmijë në vend.
