Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, edhe sot ka shmangur gazetarët dhe nuk ka dhënë asnjë deklaratë për situatën e rëndë politike që ka mbërthyer vendin. Në një kohë kur Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i pakonstituuar, Kurti kaloi në heshtje drejt hapësirave të Parlamentit, pa ndalur për të folur për krizën që po thellohet çdo ditë,
Kjo është hera e 11-të që tentohen procedurat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Edhe kësaj radhe, Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar në kandidaturën e Albulena Haxhiut, e cila po kundërshtohet nga partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK. Mospajtimi mes palëve vazhdon të bllokojë funksionalizimin e institucioneve, duke lënë vendin në një situatë të pasigurt.
Që nga bllokimi i procesit të konstituimit në dhjetor 2024, Albin Kurti nuk ka mbajtur asnjë konferencë apo prononcim për media, pavarësisht thirrjeve publike për transparencë dhe përgjegjësi politike. Pa konstituim të Kuvendit, nuk mund të formohet qeveria e re, e as të ecet përpara me reformat ligjore apo përfitimet nga programet ndërkombëtare.
Mbetet të shihet nëse edhe kjo tentativë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit do të përfundojë pa sukses, apo nëse do të ketë ndonjë lëvizje që mund të zhbllokojë situatën. Ndërkohë, vendi mbetet nën menaxhimin e një qeverie në detyrë, me kompetenca të kufizuara dhe pa vizion të qartë për dalje nga kriza.
