Tensioni rritet, ShBA mohon përfshirje në goditjet ndaj Iranit

Para 10 muaj

Uashington – Në kushtet e një përshkallëzimi të ri ushtarak midis Izraelit dhe Iranit, Departamenti Amerikan i Shtetit ka urdhëruar të gjitha ambasadat dhe postet konsullore të sqarojnë se ShBA nuk është e përfshirë në veprimet ushtarake izraelite kundër Iranit.

Sipas CBS News, një kabllogram diplomatik (i tipit ALDAC) u dërgua në mbarë rrjetin diplomatik të ShBA-së, duke theksuar se sulmet e fundit të Izraelit ndaj objektivave bërthamore dhe ushtarake iraniane janë veprime të njëanshme, pa përfshirje ose mbështetje nga Uashingtoni.

Në dokument theksohet gjithashtu se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj zgjidhjes diplomatike për çështjen bërthamore iraniane, por paralajmërohet se “asnjë aktor” nuk duhet të synojë qytetarët apo bazat amerikane. “Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore,” thuhet në kabllogram.

Tensionet u rritën pas sulmeve ajrore izraelite të premten në disa objekte strategjike në Iran, të cilat lanë të vrarë komandantë dhe shkencëtarë iranianë. Irani u kundërpërgjigj me raketa balistike që shkaktuan viktima dhe dëme në territorin izraelit.

Ndërkohë, Teherani akuzoi ShBA-në për bashkëfajësi në sulmet e Tel Avivit, ndërsa zyrtarët amerikanë i mohuan këto pretendime. Në një konferencë për shtyp, Presidenti Donald Trump tha se “është koha për një marrëveshje”, por njëkohësisht paralajmëroi Iranin se çdo sulm ndaj interesave amerikane do të përballet me “forcë të plotë ushtarake”.

Ambasadat amerikane në Tel Aviv dhe Jeruzalem vijojnë të jenë të mbyllura, ndërsa personeli amerikan është strehuar sipas protokolleve të mbrojtjes civile izraelite.

Bisedimet bërthamore SHBA-Iran, të planifikuara të mbaheshin të dielën në Oman, janë anuluar pas refuzimit të Teheranit për t’u angazhuar “nën sulm”, sipas burimeve diplomatike.