Tensione në OKB, Gërvalla: Autorët në Banjskë të Vuçiç, Gjuriç: Serbët po cënohen

Para 6 muaj

Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e fokusuar te raporti gjashtëmujor për Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, u karakterizua nga tensione të forta mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.

SHBA theksuan se nuk ekziston më një kërcënim serioz për sigurinë në Kosovë dhe kërkuan mbylljen e misionit të UNMIK-ut, duke mbështetur gjithashtu ndjekjen penale të përgjegjësve për sulmin në Banjskë gjatë vitit 2023, ku humbi jetën një oficer policie.

Në raport u evidentuan disa zhvillime pozitive, si zgjedhjet lokale në Kosovë dhe dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Europian mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, UNMIK dhe partnerët ndërkombëtarë shprehën shqetësim lidhur me vendimin e Prishtinës për të mbyllur institucionet paralele serbe në veri të Kosovës.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, kritikoi raportin si të njëanshëm dhe të paplotë, duke theksuar se Serbia përbën kërcënimin real për stabilitetin rajonal. Ajo vuri në dukje se zgjedhjet në Kosovë janë njohur nga bashkësia ndërkombëtare si të lira dhe të ndershme, ndërsa akuzoi Serbinë për përhapje propagande dhe përgatitje të opinionit publik për agresion kundër Kosovës. Sipas Gërvallës, autorët e sulmit në Banjskë janë pjesë e strukturave të Vuçicit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar duhet të ushtrojë presion ndaj Serbisë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Në përgjigje, ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriç, vlerësoi raportin e UNMIK-ut si të balancuar dhe realist, duke shprehur shqetësim për përkeqësimin sistematik të të drejtave të serbëve në Kosovë dhe rritjen e incidenteve me motive etnike. Ai akuzoi qeverinë e Albin Kurtit për mosmbrojtje të komunitetit serb dhe për kryerjen e një “spastrimi të qetë etnik”, duke përmendur 37 incidente të regjistruara që nga ardhja e Kurtit në pushtet.

Në fund, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara bëri thirrje për uljen e tensioneve, shmangien e masave që mund të çojnë në përshkallëzim dhe rifillimin e dialogut ndërmjet dy palëve.

Euronews.al