Mëngjesin e sotëm, rreth orës 04:00 në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Prishtinë, dy persona janë plagosur me armë zjarri.
Siç ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor.
“Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet fillestare, dyshohet se me armë zjarri janë plagosur dy persona, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor”, ka deklaruar Pllana.
Ndërkohë, hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
