Gjykata Kushtetuese e Kosovës do t’i hapë dyert për qytetarët të mërkurën, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Vizitorët, përfshirë studentë të drejtësisë dhe profesionistë të fushës juridike, do të kenë mundësi të njihen nga afër me ambientet e Gjykatës, si Gjykatorja, Biblioteka dhe hapësirat e punës së gjyqtarëve.
Vizitat do të organizohen çdo orë nga ora 10:00 deri në 14:00, në grupe prej deri në 15 personash dhe do të zgjasin deri në 45 minuta. Të gjithë vizitorët mbi moshën 16 vjeç duhet të paraqesin dokument identifikimi në hyrje.
Kushtetuesja ka bërë të ditur se fotografitë lejohen vetëm në Gjykatore dhe në oborrin e institucionit, në kuadër të ngjarjes “Dita e Gjykatës së Hapur”.
