Sot dhe nesër, në Shkup, kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut, do të mbahet takimi i radhës ndërmjet liderëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, me fokus të veçantë në Planin për Rritje të rajonit.
Nikoqirë të kësaj ngjarjeje të nivelit të lartë do të jenë Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos. Dy zyrtarët do të zhvillojnë fillimisht një takim kokë më kokë, i cili më pas do të pasohet nga një takim bilateral më të zgjeruar me pjesëmarrjen e delegacioneve përkatëse.
E martë, 1 korrik – Programi i Samitit:
- 09:30 – Mbërritja dhe pritja zyrtare e liderëve të Ballkanit Perëndimor
- 10:00 – Nisja e punimeve të samitit, i ndarë në dy panele kryesore:
- Paneli i parë: I dedikuar prezantimit të Planit për Rritje të Ballkanit Perëndimor, me fjalimet hyrëse të Kryeministrit Mickoski dhe Komisioneres Kos.
- Paneli i dytë: Në fokus do të ketë zbatimin praktik të Planit të Rritjes, ku do të marrin pjesë ministra nga vendet e rajonit, përfaqësues të institucioneve të BE-së, organizata rajonale dhe partnerë ndërkombëtarë.
Ky samit pritet të forcojë më tej bashkëpunimin midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në drejtim të integrimit ekonomik, institucional dhe strategjik në kuadër të procesit të zgjerimit.
