Sylejman Bytyçi – Heroi i Arllatit që dha jetën për lirinë, 26 vjet nga rënia dëshmore

Para 1 vit

Më 29 prill 1999, Drenica humbi një nga bijtë e saj më të devotshëm – dëshmorin e kombit, Sylejman Xheladin Bytyçi. Sot, në 26-vjetorin e rënies së tij, kujtojmë jetën dhe sakrificën e këtij luftëtari të pathyeshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u flijua në altarin e lirisë për të ardhmen e një populli të shtypur.

Sylejmani lindi më 7 shkurt 1973 në fshatin Arllat të Drenicës, në një familje me vlera të larta atdhetare. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, ai ndërpreu shkollimin e mesëm për të ndihmuar familjen. I përkushtuar në punë bujqësie dhe ndërtimtarie, ai njihej për ndershmërinë dhe përkushtimin ndaj bashkëfshatarëve. Shërbeu si punëtor teknik në shkollën e fshatit – një shkollë që ishte ndërtuar mbi tokën e dhuruar nga babai i tij, Xheladini.

Me daljen publike të UÇK-së, Sylejmani i bashkohet radhëve të saj në qershor të vitit 1998, duke u pozicionuar në Grykën e Llapushnikut dhe më pas në pikën luftarake të Arllatit – një zonë strategjike që mbikëqyrte lëvizjet serbe. Ai mori pjesë në stërvitjet për njësitë speciale nën komandën e oficerit Tahir Sinani dhe ishte pjesë e njësive “Arbri” dhe më vonë nën komandën e Mehdi Bytyçit.

Më 16 prill 1999, gjatë një ofensive të ashpër të forcave serbe në Arllat, Sylejmani u plagos rëndë në një përplasje ballë për ballë me armikun. Edhe pse u transportua në spitalin ushtarak në Divjakë, ai nuk mundi t’u mbijetonte plagëve. Më 29 prill, ai u nda nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi të pavdekshme.

Ai u varros me nderime në “Varrezat e Dëshmorëve” në Kleçkë, krahas bashkëluftëtarëve të tij. Sylejmani la pas një djalë të vetëm, Bledarin, i cili rritet në një Kosovë të lirë – amaneti më i shtrenjtë i dëshmorëve.

Emri i tij, bashkë me atë të Mehdi Bytyçit, është përjetësuar në Pllakën përkujtimore në lagjen Bytyçi, si dhe është nderuar me mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes, Radio Kosova e Lirë dhe shumë të tjerë.

Sot, në përvjetorin e rënies së tij, kujtojmë me nder dhe krenari Sylejman Bytyçin – një bir i Drenicës, një luftëtar i lirisë dhe një hero i pavdekshëm i kombit tonë.