Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Serbia po kryen lëvizje të paautorizuara të dronëve në hapësirën ajrore të Kosovës, duke e cilësuar këtë si një kërcënim të vazhdueshëm.
Në një intervistë për KTV, ai tha se dronët serbë po futen kohë pas kohe në territorin ajror të Kosovës. Ndërkohë, Klankosova.tv ka kërkuar sqarime nga KFOR për këtë çështje, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, në një prononcim për “Ora 7” të Klan Kosovës, vlerësoi se Kosova përballet me probleme serioze në aspektin e sigurisë ajrore dhe nuk ka bërë përpjekje të mjaftueshme për të ndërtuar kapacitete në menaxhimin e nënfluturimeve. Ai propozoi investime në radarë për dronë dhe pozicionimin e tyre në pikat kufitare me Serbinë.
