Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar publikisht pas arrestimit të katër personave në Prizren, përfshirë ish-drejtorin rajonal të Policisë Kufitare, kolonel Nexhmi Krasniqi, në një aksion të realizuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren.
Në një postim zyrtar, Sveçla ka përgëzuar IPK-në për aksionin e ndërmarrë dhe ka theksuar se krimi nuk ka vend në shoqërinë kosovare, e sidomos jo në radhët e Policisë së Kosovës.
“Përgëzoj Inspektoratin Policor të Kosovës për aksionin e djeshëm, ku u arrestuan katër qytetarë, ndër ta edhe një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës. Krimi nuk ka vend në shoqërinë tonë, e posaçërisht nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë”, ka deklaruar Sveçla.
Ministri shtoi se mbështet dhe insiston në veprime edhe më të vendosura të IPK-së, me qëllim që Policia të pastrohet nga individë që, sipas tij, njollosin emrin e institucionit më të besuar në vend.
“Policia e Kosovës duhet të jetë adresë e luftimit të krimit dhe asnjëherë çerdhe banimi apo mburojë e veprimtarive kriminale,” ka nënvizuar Sveçla.
Aksioni dhe hetimet..
Aksioni që çoi në arrestimet është rezultat i një hetimi disa mujor, me bastisje në katër lokacione në qytetin e Prizrenit. Të arrestuarit dyshohen për veprat penale të detyrimit dhe shmangies nga tatimi, ndërsa ndaj kolonelit Krasniqi është rekomanduar suspendimi, si pjesë e procedurave administrative.
IPK dhe Prokuroria kanë theksuar se janë të përkushtuara për të luftuar çdo formë të kriminalitetit, përfshirë edhe ato ku të dyshuarit janë zyrtarë publikë apo pjesë e institucioneve të sigurisë.
Hetimet në terren po vazhdojnë.
