Sveçla dënon provokimet gjatë defilimit të maturantëve në Mitrovicë të Veriut: Nuk do të lejojmë destabilizim nga Beogradi dhe Radoiçiqi

Para 11 muaj

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar të enjten pas incidentit të ndodhur gjatë manifestimit të maturantëve në Mitrovicën e Veriut, duke theksuar se aktiviteti ishte i paralajmëruar dhe i organizuar në përputhje me ligjin, por u keqpërdor nga disa individë për qëllime provokuese dhe politike.

Në një postim në Facebook, Sveçla ka sqaruar se të gjithë qytetarët kanë të drejtë të organizojnë manifestime publike, përfshirë edhe ato festive si defilimi i maturantëve, dhe se Policia e Kosovës kishte ndërmarrë të gjitha masat për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit.

“Pas njoftimit paraprak, Policia ka ndërmarrë të gjitha hapat për mbarëvajtjen e plotë të këtij manifestimi”, shkroi Sveçla, duke dënuar ashpër provokimet që ndodhën gjatë ngjarjes, përfshirë thirrjet nacionaliste si “Kosova është zemra e Serbisë” dhe përdorimin e simbolit të tre gishtave.

Sipas tij, këto veprime përfaqësojnë përpjekje për të minuar bashkëjetesën dhe për të destabilizuar vendin. “Simbolet dhe thirrjet e tilla jo vetëm që përkujtojnë spastrimin etnik dhe gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë, por pasqyrojnë edhe pretendimet e saj të vazhdueshme ndaj shtetit tonë,” theksoi ai.

Sveçla vlerësoi ndërhyrjen profesionale të Policisë së Kosovës, e cila reagoi në kohë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të ruajtur rendin publik. Ai paralajmëroi për përpjekje të vazhdueshme nga Beogradi dhe individë si Milan Radoiçiq për të destabilizuar situatën në Kosovë, duke bërë thirrje për maturi dhe për të mos rënë pre e provokimeve.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës, përmes një deklarate zyrtare, ka konfirmuar se aktiviteti ishte një defilim tradicional i maturantëve dhe nuk kishte karakter protestues apo destabilizues. Sipas policisë, aktiviteti ishte paralajmëruar dhe u përmbyll pa incidente të mëdha, me vetëm disa provokime të izoluara që u menaxhuan me profesionalizëm.

“Policia e Kosovës është përkujdesur për mbarëvajtjen dhe sigurinë e aktivitetit, i cili ka përfunduar pa ndonjë problem,” thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.

Maturantët kanë vazhduar festën e tyre pa ndërprerje, ndërsa autoritetet mbeten të përkushtuara për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike apo politike.