Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga avokati i të dënuarit Qëndrim Januzi, duke lënë në fuqi dënimin me 17 vjet burgim për vrasjen e G.H., ngjarje e ndodhur në maj të vitit 2022 në Ferizaj.
Në vendimin e datës 22 korrik 2025, Supremja vlerësoi se kërkesa e mbrojtjes nuk kishte bazë ligjore dhe e quajti të drejtë vlerësimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe Gjykatës së Apelit, të cilat kishin shpallur Januzin fajtor për veprën penale të vrasjes nga neni 172 i Kodit Penal, dhe jo për “vrasje të rëndë” siç parashihej fillimisht në aktakuzë.
Çfarë ndodhi në Ferizaj?
Sipas aktgjykimeve të mëparshme, më 28 maj 2022, rreth orës 00:53, në rrugën “Rexhep Bislimi”, pranë hyrjes së një marketi, Qëndrim Januzi me përgatitje paraprake dhe me dashje kishte shtënë gjashtë herë me armë zjarri në drejtim të viktimës G.H., duke e privuar nga jeta në vend. Në atë moment, ai kishte rrezikuar edhe jetën e dëshmitarit Maliq Latifi, si dhe të tjerëve të pranishëm.
Ngjarja kishte ndodhur pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme për një automjet që i përkiste vëllait të të pandehurit, për të cilin dyshohej se ishte djegur nga i ndjeri.
Pamjet e sigurisë të vendit të ngjarjes, të shqyrtuara nga gjykata, konfirmojnë se viktima nuk kishte provokuar sulm dhe se Januzi i ishte afruar drejtpërdrejt me armë në dorë, duke e larguar dëshmitarin dhe më pas qëlluar drejt viktimës.
Kërkesa për dënim më të butë u refuzua
Avokati Florin Vërtopi kishte kërkuar që gjykata të ndryshonte aktgjykimet dhe ta rikualifikonte veprën penale në “vrasje në gjendje të afektit mendor”, duke kërkuar dënim më të lehtë ose kthimin e çështjes në rigjykim. Por Supremja refuzoi kërkesën, duke konstatuar se nuk ka pasur shkelje të dispozitave ligjore dhe se dënimi ishte i bazuar në prova të qarta.
Gjithashtu, gjykata theksoi se pretendimet për lartësinë e dënimit nuk mund të trajtohen përmes kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë.
Përveç akuzës për vrasje, Januzi u shpall fajtor edhe për posedim të paautorizuar të armës së zjarrit të llojit “SAUER model 38H”, të cilën e përdori gjatë krimit dhe që u sekuestrua më pas nga autoritetet.
Vërejtje ligjore: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm derisa vendimi të marrë formë të prerë.
