Sulmohet nga tre anëtarë të familjes – nusja në Lipjan dërgohet në strehimore

Para 8 muaj

Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar të premten në Lipjan, ku një grua ka qenë viktimë e sulmit fizik nga bashkëshorti dhe dy prindërit e tij.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 8 gusht, kur viktima – një grua kosovare – ka raportuar se është rrahur nga burri dhe vjehrri e vjehrra e saj.

“Është raportuar se viktima femër kosovare është sulmuar fizikisht nga tre të dyshuarit – bashkëshorti dhe vjehrrit e saj”, thuhet në raportin zyrtar.

Gruaja ka marrë trajtim mjekësor dhe më pas është dërguar në strehimore, ku po qëndron nën mbrojtje përkohësisht. Policia njofton se me vendim të prokurorit, rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

Ende nuk dihet motivi i sulmit, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse të dyshuarit janë ndaluar.