Sulm ndaj anijes “Family Boat” pranë Tunizisë, në bord Greta Thunberg

Para 7 muaj

Një incident i rëndë ka ndodhur në brigjet pranë Tunizisë, ku një mjet fluturues, i dyshuar si dron ushtarak, ka goditur një anije të përfshirë në misionin civil “Flotilja Global Sumud”, me destinacion Rripin e Gazës. Anija e goditur, me emrin “Family Boat” dhe flamur portugez, kishte në bord figura të njohura të aktivizmit ndërkombëtar si Greta Thunberg, Yasemin Acar dhe Thiago Avila.

Sipas raportimeve nga gazeta italiane La Repubblica dhe dëshmive të dhëna nga aktivistët në bord, një objekt shpërthyes ka rënë mbi kuvertë, duke shkaktuar një zjarr të madh në pjesën e sipërme të mjetit lundrues. Për fat të mirë, të gjithë personat në bord kanë shpëtuar pa lëndime dhe situata është vënë nën kontroll.

Autoritetet në Tunizi kanë nisur një hetim për këtë ngjarje. Zyrtarisht, ato mohojnë që një dron të ketë qenë i pranishëm në zonë dhe sugjerojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një problem me pajisjet e shpëtimit. Megjithatë, video dhe foto të shpërndara nga aktivistët tregojnë qartë një shpërthim në anije, duke ngritur dyshime të forta për një sulm të qëllimshëm.

Zëdhënësi i Gardës Kombëtare Tuniziane, Houcem Eddine Jebabli, deklaroi për AFP-në se hetimet paraprake nuk kanë gjetur prova për praninë e një droni, por se po analizohen të gjitha pistat. Ndërkohë, dëmet në anije janë të konsiderueshme dhe ajo nuk mund të vazhdojë më rrugën drejt Gazës. Organizatorët po shqyrtojnë alternativa për të transferuar ekuipazhin në mjete të tjera.

Ky është rasti i dytë këtë vit ku një anije e Flotiljes Global Sumud bëhet objekt i një sulmi – incidenti i parë ndodhi në muajin maj, kur anija “Al Damir” u godit nga dy dronë afër ujërave të Maltës.

Përfaqësuesit e flotiljes kanë dënuar fuqishëm sulmin, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të penguar një mision paqësor dhe humanitar. Ata kanë theksuar se përkundër rrezikut, nuk do të heqin dorë nga përpjekjet për të çuar ndihma në Gazë dhe për të shprehur solidaritet me popullin palestinez.

euronews.al