Një person i armatosur ka shtënë me armë zjarri të tipit AK-47 në drejtim të një autobusi në fshatin Pagarushë të Malishevës, ndërsa fatmirësisht nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar.
Sipas zëdhënëses së Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, rasti është raportuar rreth orës 12:10, pas së cilës njësitë policore kanë reaguar menjëherë dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve hetimore, personi i dyshuar është arrestuar dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, është ndaluar për 48 orë. Policia ka sekuestruar edhe armën e përdorur në incident, një AK-47.
Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë duke vazhduar.
