Studentët serbë shpallin qeverinë “të paligjshme” – protesta masive në Beograd në Ditën e Vidovdanit

Para 10 muaj

Beograd, 28 qershor 2025 – Pas shtatë muajsh bllokadash dhe organizimesh simbolike, studentët serbë i dhanë fund ultimatumit të tyre drejtuar qeverisë së Serbisë me një protestë të paralajmëruar në sheshin Slavia, nën moton “Shihemi në Vidovdan”.

Protesta, që nisi në orën 18:00, kulmoi deri në orën 21:00 – moment kur skadoi edhe ultimatumi i studentëve. Kërkesat kryesore janë organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe mbyllja e zonës së kontestuar “Caciland” në qendër të Beogradit, e konsideruar simbol i ndikimit të pushtetit dhe privatizimit të hapësirës publike.

Në një postim simbolik në rrjetet sociale, organizatorët publikuan një fotografi të një semafori me dritë të gjelbër të shoqëruar me mbishkrimin:

“Ultimatumi ka skaduar”.

Përshkallëzim dhe prani e madhe policore

Situata nisi të tensionohej rreth zonës “Caciland”, ku forcat policore ishin të pajisura me mjete për shpërndarjen e turmës, përfshirë gaz lotsjellës. Kordonë policorë u vendosën në rrugët ‘Knez Milosh’, ‘Takovska’, ‘Kral Milan’, dhe afër kinemasë “Takwood”.

Në të njëjtën kohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u shfaq në Parkun e Pionierëve, pranë një “mbrëmjeje letrare” të organizuar nga mbështetësit e tij, në bulevardin ‘Kral Aleksandar’. Ai deklaroi se nuk është në dorën e tij apo të partive politike nëse do të ketë dhunë gjatë natës, duke lënë të hapur mundësinë për përshkallëzim.

“Qeveria është e paligjshme” – zëri i studentëve

Nga skena e protestës në Slavia, një studente nga Beogradi mori fjalën në emër të protestuesve, duke kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të drejta parlamentare si rrugëdalje nga kriza sociale, për të cilën ajo fajësoi pushtetin aktual.

“Sot, më 28 qershor 2025, ne e shpallim qeverinë aktuale të paligjshme”, deklaroi ajo mes duartrokitjeve të protestuesve.