Stërvitje e përbashkët nënujore mes Shqipërisë dhe Kosovës

Para 8 muaj

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, ka njoftuar për zhvillimin e një stërvitjeje të përbashkët mes efektivëve të Qendrës së Zhytjes së Forcës Detare të Shqipërisë dhe ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në një postim në Facebook, ministri Vengu ka publikuar edhe fotografi nga kjo stërvitje, duke e cilësuar si një bashkëpunim të rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve të përbashkëta nënujore.

“Efektivët e Qendrës së Zhytjes së Forcës Detare të Shqipërisë zhvilluan në Pashaliman stërvitjen e përbashkët me kolegët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Një traditë e qëndrueshme që garanton operacionalitet, ndërveprim dhe rritje të kapaciteteve për misionet nënujore,” ka shkruar Vengu.

Kjo stërvitje është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për thellimin e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë detare dhe misioneve speciale nënujore.