Stërvitje e përbashkët e ushtarëve italianë të KFOR-it në Kosovë, fokus në kontrollin e turmave dhe operacionet ajrore

Para 11 muaj

Ushtarët italianë të Komandës Rajonale Perëndim (Regional Command West) të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, kanë zhvilluar një stërvitje të përbashkët me fokus përdorimin e helikopterëve dhe pajisjeve për kontrollin e turmave (CRC – Crowd and Riot Control).

Sipas një njoftimi nga KFOR-i, qëllimi i këtij aktiviteti ishte përmirësimi i procedurave të hipjes dhe zbritjes nga helikopterët gjatë operacioneve që përfshijnë pajisje speciale për menaxhimin e turmave. Këto ushtrime, siç thuhet, ndihmojnë në forcimin e gatishmërisë dhe performancës operacionale të njësive në terren.

“Këto ushtrime lejojnë përmirësimin e gatishmërisë dhe performancës operacionale të njësive,” thuhet në njoftimin zyrtar të KFOR-it.

Më tej, misioni i udhëhequr nga NATO ka riafirmuar përkushtimin e tij për zbatimin e plotë të mandatit që i është dhënë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e miratuar në vitin 1999.

KFOR thekson se mbetet i përkushtuar për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes në mënyrë të paanshme dhe të pandërprerë.