Stërvitja Serbi-Kinë: mesazh force apo kërcënim për stabilitetin rajonal?

Para 9 muaj

Në një moment kur Serbia përpiqet të ruajë ekuilibrin e vështirë midis aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe lidhjeve të ngushta me fuqitë Lindore, lajmi për stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake me Kinën hedh dritë mbi tendencat në rritje të Beogradit për të forcuar pozicionin e tij gjeopolitik. Me emrin provokues “Paqeruajtësit 2025”, ky ushtrim ushtarak nuk është vetëm një aktivitet ushtarak, por një deklaratë e fuqishme politike që synon të dërgojë mesazhe të qarta në arenën ndërkombëtare.

Përtej deklaratave zyrtare për “bashkëpunim dhe forcim të aftësive luftarake”, kjo lëvizje duket si një sinjal i hapur i Serbisë që po kërkon të tregojë peshën e saj në arenën globale duke i përqafuar aleancat me fuqitë joperëndimore, sidomos në kohën kur marrëdhëniet me Perëndimin mbeten të tensionuara dhe proceset integruese nuk janë pa sfida. Në kontekstin ku Serbia vazhdon të jetë pjesë e programit “Partneriteti për Paqe” të NATO-s, përfshirja në një stërvitje ushtarake të tillë me Kinën mund të shihet si një lëvizje që sfidon jo vetëm balancën strategjike në Ballkan, por edhe besueshmërinë e politikës së saj të jashtme.

Në këtë prizëm, bashkëpunimi ushtarak me Kinën – që bashkë me Rusinë përbën një grushtë të fuqishëm kundër Perëndimit , është një veprim me impakt të dyfishtë: për një anë, forcon imazhin e Serbisë si një lojtar serioz që nuk do të mbetet vetëm pas, dhe për anën tjetër, rrit shqetësimet në Bruksel dhe Uashington për qëndrueshmërinë e rajonit dhe përpjekjet për stabilizim politik.

Stërvitja e parë ushtarake e përbashkët midis Serbisë dhe Kinës, e paralajmëruar për fund të këtij muaji në provincën Hebei.Është një lëvizje strategjike që dëshmon për ambiciet e Serbisë për të afirmuar pavarësinë dhe fuqinë e saj në arenën ndërkombëtare, duke sfiduar balancat tradicionale gjeopolitike në Ballkan.

Në një kohë kur Serbia aspiron në integrimin evropian, ajo vazhdon të ruajë lidhje të ngushta me Kinën dhe Rusinë , dy fuqitë globale që shpesh përballen me Perëndimin. Ky bashkëpunim ushtarak dhe përfshirja në programin “Paqeruajtësit 2025” janë jo vetëm një mënyrë për të forcuar kapacitetet luftarake, por edhe një mesazh politik i qartë: Serbia kërkon të jetë një aktor i pavarur dhe i fuqishëm, që nuk varet vetëm nga Perëndimi.

Megjithatë, ky pozicion krijon dilema të mëdha për Beogradin. Balancimi mes aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe përforcimi i lidhjeve me Kinën dhe Rusinë nuk është një rrugë e lehtë. Për më tepër, mungesa e transparencës dhe komunikimit publik lidhur me qëllimet e këtij bashkëpunimi ushtarak nxit shqetësime për motivet reale të Serbisë dhe impaktin e tyre në stabilitetin rajonal.

Për Perëndimin, kjo është një kërcënim i dyfishtë: Serbia përçan unitetin politik të Ballkanit, dhe nga ana tjetër, ajo ndihmon në zgjerimin e ndikimit të Kinës dhe Rusisë në një rajon strategjikisht të rëndësishëm.

Në këtë kuadër, stërvitja Serbi-Kinë nuk duhet parë thjesht si një event ushtarak, por si një fenomen politik me pasoja të gjera. Ajo duhet të inkurajojë dialogun dhe presionin për një qasje më transparente dhe të përgjegjshme nga autoritetet serbe, që të mos e vënë në rrezik integrimin dhe stabilitetin e rajonit.

Në fund të fundit, përdorimi i ushtrisë si mjet i politikës është një lojë delikate dhe me pasoja afatgjata, ku Serbia duket se po merr një rrugë që mund ta largojë nga partnerët tradicionalë dhe ta afrojë më shumë me fuqitë që sfidojnë rendin perëndimor.GazetaReale