Hagë, 10 nëntor 2025 – Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) kanë njoftuar se kufizimi mbi vizitat e paprivilegjuara për ish-presidentin Hashim Thaçi do të mbetet në fuqi edhe më tej, në kuadër të çështjes gjyqësore “Thaçi dhe të tjerët”.
Sipas vendimit të bërë publik nga Gjykatësja e Procedurës Paraprake, Marzhori Masëlo, masat kufizuese ndaj Thaçit vazhdojnë të jenë të nevojshme “për të parandaluar çdo nxjerrje të mëtejshme të paligjshme të informacionit konfidencial në lidhje me dëshmitarët”.
Gjykatësja theksoi se kufizimet janë “proporcionale dhe në përputhje me të drejtat e të akuzuarit”.
Këto masa do të rishikohen çdo tre muaj, pas raporteve që dorëzon Administratorja e DHSK-së. Raporti i radhës pritet të publikohet më 24 nëntor 2025.
Kufizimi i vizitave të paprivilegjuara ndaj Hashim Thaçit ishte vendosur në fillim të këtij viti, pas dyshimeve për shpërndarje të paautorizuar të informacioneve të ndjeshme që lidhen me dëshmitarët në procesin gjyqësor.
