SPAK godet fort në Durrës: Sekuestrohen pasuri me vlerë 12 milionë euro nga aktiviteti kriminal

Para 10 muaj

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ndërmarrë një tjetër operacion të fuqishëm në kuadër të hetimeve ndaj një grupi të strukturuar kriminal. Përmes një njoftimi zyrtar, SPAK bëri me dije se ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro, të ndodhura në qytetin e Durrësit.

Pasuritë e sekuestruara përfshijnë dhjetëra njësi tregtare, truall dhe ndërtesa, të regjistruara në emër të personave të dyshuar ose të afërmve të tyre. Një pjesë e madhe e tyre janë në pronësi të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k., ndërsa të tjera janë në emër të personave të lidhur familjarisht me subjektet e hetuara.

Hetimet janë pjesë e një procedimi penal të nisur në vitin 2019, për veprat penale të trafikimit të narkotikëve, pastrimit të parave dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale. SPAK thekson se ky operacion është realizuar në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore me autoritetet italiane dhe me mbështetjen e Eurojust.

Në total, po hetohen 52 persona (30 në Shqipëri dhe 22 në Itali), për të cilët dyshohet se kanë përfituar pasuri nga aktiviteti i paligjshëm. Të gjitha pronat janë marrë nën administrimin e Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara pranë Ministrisë së Brendshme, ndërsa hetimi pasuror vazhdon.