Në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të zhvillohet sot (9 qershor) seanca e radhës për rastin “Banjska”, i cili lidhet me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Avokati Arianit Koci, i cili përfaqëson familjen e rreshterit të ndjerë, e ka cilësuar këtë rast si një ndër gjykimet më të rëndësishme në Kosovën e pasluftës.
Në seancën e fundit, tre të akuzuarit – Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq – u deklaruan të pafajshëm për akuzat që lidhen me terrorizëm dhe veprime të tjera kundër rendit kushtetues.
Këta tre persona janë pjesë e një grupi prej gjithsej 45 të akuzuarish, përfshirë Milan Radoiçiqin – ish-nënkryetar i Listës Serbe – i cili ka pranuar publikisht përgjegjësinë për sulmin. Ndaj Radoiçiqit dhe 41 të tjerëve po zhvillohen procedura në mungesë, pasi ndodhen në arrati dhe janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga INTERPOL-i.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzën më 11 shtator 2024, duke përfshirë akuza të rënda për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe krime kundër sigurisë dhe rendit kushtetues.
Seancat për këtë rast do të vazhdojnë më 11 dhe 12 qershor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke filluar nga ora 09:30.
