Sot bëhen 15 vjet nga shpallja e opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), e cila më 22 korrik 2010 konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Në vendimin e saj, Gjykata theksoi se deklarata e pavarësisë nuk shkelte as të drejtën ndërkombëtare të përgjithshme, as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe as kuadrin kushtetues të përkohshëm të Kosovës.
Kryetari i atëhershëm i GjND-së, gjykatësi japonez Hisashi Owada, pati deklaruar se:
“E drejta ndërkombëtare nuk përmban ndalesa për shpalljen e pavarësisë nga një subjekt politik,” duke nënvizuar se Kosova nuk kishte vepruar në kundërshtim me asnjë normë të zbatueshme ndërkombëtare.
Ky opinion ka qenë një pikë kthese e rëndësishme në përforcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe ka shërbyer si argument i fuqishëm në procesin e njohjeve nga shtete të ndryshme anembanë botës.
Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera shtetërore e kanë cilësuar këtë përvjetor si dëshmi e së drejtës së Kosovës për shtetësi dhe si mbështetje e pakontestueshme ndërkombëtare për të ardhmen euroatlantike të vendit.
