Sot, më 5 prill në Prishtinë do të mbahet një protestë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Luan Hasanaj, organizatori i grupit “Asnjë Cent më Shumë”, ka bërë thirrje për mbështetje të gjerë nga qytetarët dhe bizneset.
Hasanaj ka kërkuar nga bizneset që në shenjë solidarizimi, të mbyllin lokalet e tyre për një orë, nga ora 15:00 deri në 16:00.
Javë më parë kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, kishte arsyetuar propozimin e Zyrës së Rregullatorit për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike për 15%. Ai thënë se kjo rritje është bërë 100% duke u bazuar në inflacionin global.
Sipas tij, edhe pse ka pasur rritje të çmimit të energjisë në tri vitet e fundit, Kosova ende mbetet në fund të listës së vendeve me çmimin më të lirë të energjisë elektrike.
Ai po ashtu kishte thënë se kërkesat e kompanive për furnizim me energji elektrike ishin që çmimi të rritej për 35%, por pas konsultimeve u propozua që çmimi të rritet për 15%.
Megjithatë, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ende nuk është marrë asnjë vendim për rritjen e tarifave të energjisë.
Afati për dërgimin e ankesave kundër propozimit për rritjen e energjisë elektrike ishte deri më 29 prill.
Presidenca e Republikës së Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se kundërshton propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend.
Sipas njoftimit bëhet e ditur se ky propozim është në kundërshtim me kornizën ligjore që e obligon ZRRE-në të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike dhe aspektin e mirëqenies në vend.
Po ashtu, kundërshtimin e energjisë elektrike e kanë bërë edhe Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, bizneset, shoqëria civile etj.
Ndërkaq, Instituti Atlas ka dhënë një rekomandim për Qeverinë e Kosovës, se si do të mund të ulte çmimin e rrymës gjatë viteve 2025 dhe 2026.
“Nëse ZRRE vendos të rrisë të hyrat maksimale të lejuara me 15%, Instituti Atlas kërkon nga Qeveria e Kosovës të heqë TVSh-në prej 18 për qind në faturat e energjisë elektrike dhe të zbatojë opinionin e Avokatit të Popullit dhe gjykatave të Kosovës, duke i kthyer konsumatorëve 132.5 milionë euro të paguara padrejtësisht për konsumimin e energjisë në veri.
Zbatimi i këtyre masave do të ulte çmimin e rrymës me 36% gjatë viteve 2025 dhe 2026”, thuhet në postimin e Institutit Atlas.
