Sot shënohet dyvjetori i protestave të dhunshme në komunat veriore të Kosovës, ku popullata lokale serbe kundërshtoi hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
Protestat e 29 majit 2023, të thirrura pas bojkotit të zgjedhjeve lokale nga komuniteti serb – nën ndikimin e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës të mbështetur nga Beogradi – u shndërruan në përleshje të dhunshme me trupat e KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.
Gjatë përplasjes, mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të plagosur. Ngjarjet e rënda nxiten reagime të ashpra nga institucionet e Kosovës, NATO dhe bashkësia ndërkombëtare, të cilat dënuan dhunën dhe kërkuan përgjegjësi.
Në Kosovë janë arrestuar disa persona të dyshuar për “pjesëmarrje në protesta të dhunshme” dhe për sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it. Megjithatë, në Serbi ende nuk dihet nëse është hapur apo po zhvillohet ndonjë hetim ndaj personave të dyshuar për sulmet ndaj ushtarëve të NATO-s.
Ngjarjet e majit të vitit 2023 mbeten një nga momentet më të tensionuara në raportet ndëretnike në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë dhe kanë lënë gjurmë të thella në marrëdhëniet Kosovë–Serbi.
