Më 7 korrik 1992, në orët e para të mëngjesit, u zhvillua aksioni i parë gueril i organizuar në Republikën e Kosovës kundër forcave policore serbe. Ky aksion historik, që shënoi fillimin e rezistencës së armatosur kundër pushtimit serb, u realizua me urdhër të komandantit legjendar Adem Jashari.
Aksioni u zhvillua në fshehtësi të plotë dhe pa u bërë i ditur askujt, siç rrëfen Gani Geci, njëri prej pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë në këtë ngjarje. Në një intervistë për “Kosova Today”, Geci ka zbuluar detaje rreth përgatitjeve që kishin nisur javë më parë dhe bashkëpunimit të ngushtë me Adem Jasharin.
“Natën takoheshim me Adem Jasharin, takoheshim me shokë… Tri javë më herët kemi shkuar edhe një herë për të vrarë policinë serbe. Në atë aksion ishim bashkë me vëllain tim, Nebih Geci”, tha ai.
Sipas Gecit, veprimtaria e tyre nuk kishte filluar me armë, por me pjesëmarrje në demonstratat dhe protestat e viteve 1990-1991. Megjithatë, 7 korriku 1992 ishte momenti kur rezistenca mori një tjetër formë – atë të veprimit të armatosur.
Ky aksion u bë pikënisja e organizimit të mëvonshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke dhënë një mesazh të qartë: populli i Kosovës nuk do të dorëzohej përballë dhunës e represionit të vazhdueshëm të regjimit serb.
33 vjet më pas, kjo datë kujtohet si një gur themeli i rezistencës për liri dhe si dëshmi e guximit të brezave që i hapën rrugën çlirimit të vendit.
