Sllovenia, në emër të anëtarëve të zgjedhur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, paraqiti të martën një projekt-rezolutë që bën thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm” në Gaza, dhe kërkoi votim për të mërkurën.
Dokumenti, i cili u sigurua nga Anadolu, shpreh “shqetësim të thellë për situatën katastrofike humanitare, përfshirë rrezikun e urisë” dhe rikujton detyrimin e të gjitha palëve për të respektuar të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe atë të të drejtave të njeriut.
Teksti gjithashtu rithekson mbështetjen për përpjekjet e Egjiptit, Katarit dhe ShBA-së për të zbatuar një armëpushim me disa faza, të parashikuar në Rezolutën 2735 (2024), me qëllim sigurimin e lirimit të pengjeve, kthimin e trupave dhe tërheqjen e plotë izraelite nga Gaza, duke çuar drejt rindërtimit.
Po ashtu, kërkohet “heqja e menjëhershme dhe e pakushtëzuar e të gjitha kufizimeve” mbi ndihmën humanitare dhe shpërndarja e saj në mënyrë të sigurt dhe të pakufizuar “në shkallë të gjerë” në të gjithë enklavën.
Rezoluta nënvizon rëndësinë e rivendosjes së shërbimeve thelbësore në përputhje me parimet humanitare.
Izraeli, duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ka ndjekur një ofensivë shkatërruese në Gaza që nga tetori 2023, duke vrarë mbi 54.500 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Agjencitë humanitare kanë paralajmëruar për rrezikun e urisë mes më shumë se 2 milionë banorëve të enklavës.
Në nëntor të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-Ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzur për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e tij kundër civilëve në enklavë.
