Një panel diskutimi i mbajtur sot në Mitrovicë të Veriut ka ngjallur reagime, pasi gjatë tij u shpalos një banderolë e madhe me hartën e Kosovës të mbuluar nga flamuri i Serbisë. Ngjarja, e organizuar nga studentët e Fakultetit të Drejtësisë në Novi Sad, të cilët ndodhen në bllokadë, u zhvillua nën titullin “Kosova dhe Metohia – 25 vjet bllokadë”,
Në njoftimin e publikuar nga organizatorët thuhet se në panel morën pjesë edhe “kolegë nga Universiteti i Prishtinës”. Megjithatë, nuk është bërë e ditur nëse pjesëmarrësit ishin studentë serbë që studiojnë në UP apo studentë shqiptarë, duke ngritur pikëpyetje mbi përfaqësimin dhe qëndrimin e tyre në një ngjarje me simbolikë të hapur politike dhe mohuese ndaj shtetësisë së Kosovës.
Organizatorët e cilësuan takimin si një “moment të paharrueshëm bashkëjetese”, ndërsa përdorimi i hartës së Kosovës me flamurin serb ka nxitur shqetësime për provokime politike dhe cenim të sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Ngjarja vjen në një kohë tensionesh të shtuara në veri të vendit dhe e shton nevojën për transparencë institucionale dhe qëndrime të qarta nga universitetet publike mbi pjesëmarrjen në aktivitete të tilla.
