Seanca e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, ku pritej miratimi i buxhetit të kryeqytetit, u ndërpre sot pas përplasjes së dhunshme që ndodhi në ambientet e Kuvendit. Ngjarja eskaloi përtej debatit politik, duke rezultuar në përfshirjen fizike të disa personave dhe ndërhyrjen e menjëhershme të Policisë.
Fillimisht u raportua se shënjestër e sulmit ishte vetë kryesuesi i Kuvendit, Fehmi Kupina. Megjithatë, më vonë asambleistja e LDK-së, Fiknete Bejta, deklaroi se personi i sulmuar ishte kolegu i saj partiak, Sami Salihu. Ajo akuzoi publikisht djalin dhe disa të afërm të Kupinës për organizimin e këtij akti.
“Sulmi i organizuar nga djali dhe persona të afërt me kryesuesin e Kuvendit, z. Fehmi Kupina, përbën jo vetëm dhunë ndaj një përfaqësuesi të zgjedhur, por është edhe një cenim i rëndë ndaj demokracisë dhe institucioneve të Kryeqytetit”, ka shkruar Bejta në një postim në Facebook.
Policia konfirmon: Tre persona të shoqëruar, hetimet vazhdojnë
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30 në rrugën “UÇK” në Prishtinë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar për Klankosova.tv se menjëherë pas marrjes së informatës për rrahje, njësitë policore kanë ndërhyrë dhe kanë shoqëruar tre persona të përfshirë në incident.
“Hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar motivet dhe rrethanat e rastit”, deklaroi Pllana.
Ende nuk ka asnjë reagim zyrtar nga kryesuesi i Kuvendit, Fehmi Kupina, për akuzat e ngritura nga LDK, ndërsa seanca për miratimin e buxhetit mbetet e pezulluar.
