Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar një aksion të gjerë në katër lokacione të ndryshme në kryeqytet, pas hetimeve disa mujore për krime ekonomike dhe korrupsion.
Aksioni u realizua me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, që autorizoi kontrollin dhe sekuestrimin e përkohshëm të disa shtëpive dhe lokaleve. Si rezultat, janë arrestuar dy persona të dyshuar: V.H., avokat, dhe D.I., instruktor.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se kanë falsifikuar dokumente, i kanë legalizuar ato si të vërteta dhe kanë mashtruar qytetarë të ndryshëm për përfitime financiare personale, duke shkaktuar dëme që kapin shifrën e disa miliona eurove.
Gjatë aksionit janë sekuestruar prova materiale dhe dokumente që lidhen drejtpërdrejt me veprimtarinë e dyshuar kriminale. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Prokuroria njofton se mbetet e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke garantuar se çdo person përgjegjës do të përballet me drejtësinë.
