Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është duke u intervistuar prej gati tri orësh nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në cilësinë e të pandehurit, lidhur me hetimet për rastin e dyshuar të fabrikës së mbetjeve shtazore.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar prokurori i rastit, Admir Shala, i cili ka theksuar se intervistimi është ende në zhvillim.
“Po, është duke vazhduar ende intervistimi. I njëjti është duke u intervistuar në cilësinë e të pandehurit”, tha Shala.
Intervistimi vjen pas bastisjeve të kryera sot në katër lokacione të ndryshme, përfshirë Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), si dhe në lokacionin e kompanisë që ka përfituar kontratën për fabrikën në fjalë.
Sipas prokurorit Shala, hetimet lidhen me dyshimet për mënyrën e dhënies me qira të kësaj fabrike. “Jemi në fazën e hetimit. Bastisjet dhe kontrollet po zhvillohen në bazë të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës”, deklaroi ai.
Hetimet po vazhdojnë ndërkohë që priten detaje të reja lidhur me rastin në fjalë.
