S’ka vend për ju” Gjermania dëbon 70 shqiptarë dhe kosovarë, CDU kërkon më shumë

Para 11 muaj

Të hënën, nga Aeroporti i Hanoverit do të realizohet një tjetër fluturim dëbimi drejt Kosovës dhe Shqipërisë. Rreth 70 persona, të cilët kishin aplikuar për azil në Gjermani, do të kthehen në vendet e tyre të origjinës.

Gazeta gjermane Die Welt raportoi se dëbimi përfshin qytetarë që nuk janë kualifikuar për mbrojtje ose e kanë humbur të drejtën e azilit, përfshirë raste me akte dhune.

Deputeti i CDU-së, Gunter Krings, ka theksuar se këto masa duhet të shtohen. “Ne duhet t’i intensifikojmë këto fluturime,” tha ai për Die Welt, duke shtuar se e drejta për azil nuk duhet të keqpërdoret.

“Kemi përgjegjësi të mbrojmë ata që kanë realisht nevojë për siguri. Por ata që nuk plotësojnë kriteret duhet të kthehen. Sidomos ata që kanë abuzuar me mikpritjen tonë duke kryer dhunë,” tha ai.

Dëbimet po bëhen pjesë e një strategjie më të ashpër migracioni në Gjermani, sidomos pas rezultatit të zgjedhjeve ku CDU/CSU dolën të parët, duke premtuar kontroll më të rreptë të kufijve dhe sistemit të azilit.