Edhe pse kanë kaluar 26 vjet nga përfundimi i luftës, shkollat publike në kryeqytet ende përballen me mungesa serioze të pajisjeve elementare për zhvillimin e procesit mësimor.
Në një deklaratë për Kiks Kosova, Nexhmi Hoxha, Kryetar i Këshillit të Prindërve të shkollave të Prishtinës, shpreh shqetësimin se mungesa e theksuar e investimeve në arsim ka detyruar prindërit që të kontribuojnë financiarisht për mbulimin e nevojave bazike si: shkumësa, perde, tabela, mjete higjienike, ngrohje e deri te paisjet klimatike.
“Ka shkolla që janë mirë të pajisura, por ka edhe shumë të tjera që s’kanë as gjërat më bazike. Nuk është e drejtë që mësimi të zhvillohet në kushte kaq të pabarabarta”, theksoi Hoxha.
Ai vlerëson se zgjidhja afatgjatë duhet të vijë nga komuna, përmes rritjes së buxhetit për arsim dhe implementimit të një projekti për vetëfinancim të shkollave, që do të mundësonte mbulimin e nevojave sipas kapaciteteve të secilës shkollë.
Megjithëse kontributi vullnetar i prindërve është i lejuar me ligj, Hoxha thekson se arsimi është përgjegjësi e institucioneve lokale, jo e familjeve. Ai shton se ankesat e prindërve janë të shumta, sidomos në lagje ku shkollat janë të vjetra dhe të papajisura.
“Kërkojmë që në vitin e ardhshëm, arsimi të jetë prioritet i qeverisjes komunale. Gjendja është alarmante dhe nuk mund të vazhdohet kështu”, shtoi ai.
Ndërkohë, videot dhe dëshmitë nga terreni tregojnë mësues që detyrohen të sjellin vetë mjete pune, nxënës që mësojnë në klasë pa perde, pa tabela funksionale, apo pa ngrohje në dimër.
Këshilli i Prindërve u bën thirrje autoriteteve lokale që të ndërmarrin masa konkrete për përmirësimin e kushteve në shkolla, duke theksuar se investimi në arsim është investim në të ardhmen.
