Punëtorët e ndërmarrjes komunale vazhdojnë protestën përballë Komunës së Prishtinës, të vendosur për të mos u tërhequr pa zgjidhje
Përkundër ditës së diel dhe pushimit zyrtar, punëtorët e ndërmarrjes “Pastrimi” në Prishtinë kanë vazhduar grevën dhe protestën e tyre para objektit të Komunës. Të vendosur në tenda dhe të përkushtuar ndaj kauzës së tyre, ata kanë paralajmëruar se nuk do të tërhiqen pa u plotësuar të gjitha kërkesat e paraqitura.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve, Ardian Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka konfirmuar vazhdimin e grevës, duke ritheksuar qëndrimin e palëkundur të punëtorëve.
“Sot, me datë 25 maj 2025, ditë e diel dhe ditë vikendi, ne vazhdojmë të qëndrojmë në grevë. Greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e plotë të kërkesave tona nga ana e Komunës së Prishtinës,” ka shkruar Krasniqi.
Ai ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe mbështetjen gjatë kësaj periudhe, duke shprehur mirënjohje të veçantë edhe për përfaqësuesit e mediave.
“Shprehim mirënjohjen tonë për gazetarët, për përkushtimin dhe punën e tyre të palodhshme në raportimet e sakta dhe të paanshme mbi kauzën tonë. Ne mbetemi të vendosur dhe stoikë në kërkesat tona – greva vazhdon!” – ka përfunduar ai.
Greva e punëtorëve të “Pastrimit” ka nisur ditë më parë, pas mospërmbushjes së një sërë kërkesash, të cilat lidhen kryesisht me kushtet e punës, pagat dhe trajtimin e dinjitetshëm të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje publike.
