Një variant i ri i COVID-19, i njohur si NB.1.8.1 ose “Nimbus”, po përhapet me shpejtësi në botë. Ky variant shkakton dhimbje shumë të forta në fyt, që disa pacientë e përshkruajnë si “një thikë që kalon nëpër fyt”. Simptoma të tjera përfshijnë lodhje të vazhdueshme, kollë të lehtë, ethe, dhimbje muskujsh dhe ngushtim të hundës. Disa pacientë përjetojnë edhe shqetësime të sistemit tretës, si nauze apo diarre.
Nimbus është aktualisht varianti dominues në Kinë dhe përbën rreth një të tretën e rasteve në Shtetet e Bashkuara. Ai ka mutacione që e bëjnë më të lehtë përhapjen, duke u konsideruar më ngjitës se variantet e mëparshme.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është optimiste se vaksinat ekzistuese do të jenë efektive kundër këtij varianti, duke mbrojtur nga sëmundjet simptomatike dhe ato të rënda. Megjithatë, pavarësisht rritjes së rasteve dhe hospitalizimeve në disa vende, nuk ka prova që ky variant shkakton sëmundje më të rënda se variantet e tjera.
