Dashuria është ndjenja më e thellë dhe më e ndërlikuar që përjeton njeriu. Ajo shpesh bëhet qendra e botës sonë, një burim gëzimi, frymëzimi dhe kënaqësie. Nuk është çudi që dashuria ndikon drejtpërdrejt në trurin tonë duke nxitur prodhimin e dopaminës – hormoni që lidhet me ndjenjat e lumturisë dhe motivimit. Pikërisht për këtë arsye, një ndarje e papritur apo e dhimbshme nga një partner mund të na lërë me një boshllëk të madh emocional dhe me një sërë pyetjesh pa përgjigje.
Jo të gjitha ndarjet ndodhin nga vullneti i dyanshëm. Ndonjëherë, lidhjet përfundojnë për shkak të tradhtisë, humbjes së pasionit, rrethanave që nuk e lejojnë vazhdimësinë, apo edhe largimit të njërit partner pa paralajmërim – pikërisht në momentin kur gjithçka dukej se po ecte për mrekulli. Këto ndarje janë më të dhimbshmet dhe lënë pas pasoja që mund të na shoqërojnë për një kohë të gjatë.
Sipas studimeve antropologjike, pas një ndarjeje truri pëson ulje të ndjeshme të dopaminës, çka çon në mbingarkesë emocionale dhe mendime të përsëritura të tilla si: “Pse ndodhi kështu?”, “A kishte faj unë?”, “A do të rikthehemi ndonjëherë?”. Nëse këto pyetje nuk menaxhohen në kohën e duhur, mund të sjellin pasoja afatgjata në shëndetin mendor dhe emocional.
Por si mund ta përballojmë në mënyrë të shëndetshme këtë periudhë dhe të ecim përpara me jetën?
1. Merru me veten tënde
Pas ndarjes, është koha të rikthehesh tek vetja. Kujto çfarë gjërash të bënin të ndiheshe mirë para lidhjes. Takohu me miqtë e vjetër, dil në natyrë, merr pjesë në aktivitete sociale ose kulturore që të frymëzojnë. Mos e lër veten të mbyllur në dhomë duke analizuar çdo detaj të lidhjes së shkuar – sepse kjo vetëm sa do ta shtyjë procesin e shërimit.
Sporti është një aleat i fuqishëm në këtë periudhë. Ai ndihmon në çlirimin e endorfinës dhe melatoninës, dy hormone që përmirësojnë humorin dhe e mbajnë mendjen të angazhuar.
2. Shkëputu nga rrjetet sociale dhe kontaktet me ish-partnerin
Një nga gabimet më të zakonshme pas ndarjes është mbajtja e kontaktit, qoftë edhe në mënyrë pasive, si p.sh. kontrollimi i profileve në rrjete sociale apo ruajtja e mesazheve dhe kujtimeve të vjetra. Për të ecur përpara, është e rëndësishme ta fshish ish-partnerin nga rrjetet sociale dhe ta largosh nga kontakti i përditshëm. Kjo nuk është shenjë urrejtjeje, por një hap i domosdoshëm drejt vetëqetësimit dhe rikthimit të kontrollit mbi jetën tënde.
3. Ndrysho pamjen dhe rifito vetëbesimin
Shumë njerëz nisin ndryshime të dukshme pas ndarjeve – një prerje e re flokësh, veshje të reja apo thjesht një kujdes më i madh për pamjen e jashtme. Këto nuk janë ndryshime sipërfaqësore, por tregues të një procesi të brendshëm të rilindjes dhe vetëvlerësimit. Ndryshimi i imazhit mund të ndihmojë në krijimin e një gjendjeje më pozitive emocionale dhe t’ju bëjë të ndiheni më të sigurt në vetvete.
4. Mos e idealizo të kaluarën
Shpesh, pas një ndarjeje, priremi të kujtojmë vetëm momentet e bukura dhe të idealizojmë ish-partnerin. Ky është një kurth emocional që na pengon të shohim realitetin. Kujto pse lidhja përfundoi, cilat ishin problemet reale dhe pse nuk funksionoi. Vetëm përmes një analize të ndershme dhe të balancuar mund të mësojmë dhe të ecim përpara me më shumë mençuri.
Në përfundim, ndarja nga një person që kemi dashur thellësisht nuk është një proces i lehtë. Megjithatë, është e mundur të shërohemi dhe të ndërtojmë një version më të mirë të vetes. Mos kini frikë të kërkoni ndihmë, të flisni me një mik apo një profesionist të shëndetit mendor nëse e ndjeni të nevojshme. Jeta është përpara dhe mund të jetë edhe më e bukur, vetëm nëse jemi gati ta përqafojmë me zemër të hapur.
