Berlin – Një përqindje e lartë e studentëve ndërkombëtarë në Gjermani synojnë të qëndrojnë në vend edhe pas përfundimit të studimeve të tyre. Sipas një raporti të fundit nga Shërbimi Gjerman i Shkëmbimit Akademik (DAAD), 64 për qind e të anketuarve kanë shprehur dëshirën për të ndërtuar jetën dhe karrierën e tyre në Gjermani, transmeton Gazeta Reale duke cituar DW.
Anketa, e realizuar gjatë semestrit dimëror të vitit akademik 2023/24, përfshiu më shumë se 21,000 studentë nga 132 universitete gjermane. Përveç aspiratës për qëndrim afatgjatë, thuajse gjysma e studentëve (49%) janë të interesuar të themelonin një biznes në vend.
Sipas raportit, studentët që ndjekin programe në ekonomi, inxhinieri dhe shkenca kompjuterike tregojnë më shumë prirje për të ndërtuar një të ardhme në Gjermani. Ata i vlerësojnë pozitivisht faktorë si:
- Përballueshmëria e studimeve
- Perspektivat e mira të punësimit
- Disponueshmëria e programeve në gjuhën angleze
Megjithatë, raporti vë në dukje se vetëm një e treta e studentëve ndihen plotësisht të përgatitur për të hyrë në tregun e punës gjerman. Mungesa e mbështetjes profesionale, nevoja për përmirësim të aftësive gjuhësore, si dhe mospasja e kontakteve me punëdhënës, përbëjnë disa nga sfidat kryesore që studentët evidentojnë.
DAAD sugjeron forcimin e programeve të orientimit profesional, ofrimin e më shumë kurseve të gjuhës gjermane, si dhe ndërmjetësimin më aktiv me industrinë dhe sektorin privat, për të përmirësuar integrimin e studentëve në tregun e punës pas diplomimit.
