TIRANË – Seanca e parë gjyqësore në themel për çështjen e njohur si “Dosja Partizani” u zhvillua këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por u shty për në datën 21 korrik për shkak të mungesës së disa të pandehurve.
Ish-kryeministri Sali Berisha, një nga të pandehurit kryesorë, nuk ishte i pranishëm në sallë dhe u përfaqësua nga avokatët Genc Gjokutaj dhe Klodiana Gjyzari. Kjo e fundit deklaroi se Berisha nuk ishte njoftuar në kohë për seancën, pasi njoftimi i është dorëzuar vetëm të premten dhe është firmosur nga dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Në sallë ishte i pranishëm vetë Malltezi, si dhe i pandehuri Xhimi Begeja, ndërsa munguan Andia Pustina dhe Fatmir Bektashi, të cilët u përfaqësuan nga avokatët e tyre. Bektashi kishte paraqitur arsye shëndetësore për mungesën.
Seanca u përfaqësua nga prokurori i SPAK, Arben Kraja, ndërsa kolegia e tij, Enkeleda Millonai, mungoi për arsye shëndetësore.
Pasi dëgjoi palët, Gjykata vendosi shtyrjen e seancës për në datën 21 korrik, ora 10:00, duke konstatuar se Berisha nuk ishte njoftuar sipas parashikimeve ligjore dhe gjykimi nuk mund të vazhdonte pa praninë e tij.
