Shteti i Kalifornisë do t’i paguajë 25 milionë dollarë personit të burgosur padrejtësisht për 38 vjet

Para 7 muaj

Shteti amerikan i Kalifornisë ka rënë dakord të paguajë një rekord prej 25 milionë dollarësh për të zgjidhur çështjen më të madhe të dënimit të gabuar në shtet, duke kompensuar një burrë që kaloi mbi 38 vjet në burg për një krim të vitit 1983 që nuk e kishte kryer, transmeton Anadolu.

Maurice Hastings, 72-vjeç, ishte dënuar me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht për sulm seksual dhe vrasjen e Roberta Wydermyer në vitin 1983, e cila kishte vdekur nga një plagë e vetme me armë zjarri në kokë.

Hastings u lirua në tetor 2022 pasi testet e reja të ADN-së e lidhën përfundimisht krimin me një të dyshuar tjetër.

Marrëveshja e muajit gusht rrjedh nga një padi që pretendonte se dy oficerë policie të qytetit Inglewood dhe një hetues i Prokurorit të Qarkut të Los Angelesit, kishin montuar rastin kundër Hastings-it.

Zyra e prokurorit të qarkut kishte thënë se mjeku ligjor mblodhi lëngjet trupore të autorit të krimit gjatë një ekzaminimi të sulmit seksual në autopsinë e viktimës. Hastings kërkoi testimin e ADN-së në vitin 2000, por iu refuzua.

Në vitin 2021, ai e përsëriti pretendimin e tij për pafajësi dhe testet e reja zbuluan se sperma nuk ishte e tij, duke i shtyrë prokurorët dhe avokatët e tij të përmbysnin dënimin e tij në vitin 2022, kur ai ishte 69-vjeç.

I dyshuari i vërtetë i rastit, Kenneth Packnett, u arrestua për një vjedhje makine të palidhur me ngjarjen më pak se tri javë pas vrasjes së vitit 1983 dhe policia zbuloi bizhuteri dhe një çantë me monedha që përputhej me atë të viktimës, por ai nuk u hetua për vrasjen në atë kohë. Packnett vdiq në burg në vitin 2020.

Avokatët e Hastings-it thanë se marrëveshja prej 25 milionë dollarësh është pagesa më e madhe e dënimit të gabuar në historinë e Kalifornisë.

“Asnjë sasi parash nuk mund të rikthejë kurrë 38 vitet e jetës sime që m’u vodhën”, tha Hastings. “Por, kjo marrëveshje është një fund i mirëpritur i një rruge shumë të gjatë dhe mezi pres të vazhdoj me jetën time”, ka deklaruar ai.